Diaspora
Themelohen strukturat drejtuese të Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër, Yllka Zuzaku-Mustafa presidente
Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër ka mbajtur takimin e radhës në Winterthur, ku është zgjedhur kryesia e parë drejtuese e organizatës pas themelimit të saj në fillim të muajit qershor.
Në krye të organizatës është zgjedhur Yllka Zuzaku-Mustafa, infermiere e diplomuar, COO dhe bashkëthemeluese e Spitex Diversity, e njohur për angazhimin e saj shumëvjeçar në sektorin e shëndetësisë dhe në jetën shoqërore e kulturore të diasporës shqiptare në Zvicër.
Pjesë e kryesisë së re janë gjithashtu Antigona Kica, nënkryetare dhe udhëheqëse e Strategjisë dhe Bashkëpunimeve; Vlora Zeka, udhëheqëse e Njësisë Profesionale për Kujdes dhe Cilësi; Fidan Hoti, udhëheqës i Financave; dhe Xheneta Zuzaku, udhëheqëse e Arsimit dhe Zhvillimit Profesional.
Sipas drejtuesve të organizatës, zgjedhja e strukturave drejtuese shënon një hap të rëndësishëm në konsolidimin e Lidhjes, e cila synon krijimin e një rrjeti të fuqishëm profesional të infermierëve dhe profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër.
Lidhja është themeluar me qëllim bashkimin, fuqizimin dhe promovimin e profesionistëve shqiptarë të infermierisë, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave, edukimin e vazhdueshëm profesional, mbështetjen e ndërsjellë dhe bashkëpunimin në shërbim të komunitetit.
Kryesia e sapozgjedhur ka bërë të ditur se më 13 shtator do të organizohet një ngjarje e madhe kushtuar bashkimit dhe rrjetëzimit të infermierëve dhe profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër, të cilët punojnë në spitale, shtëpi të pleqve, organizata Spitex dhe institucione të tjera shëndetësore.
Organizatorët kanë njoftuar se data është konfirmuar, ndërsa vendi i mbajtjes dhe detajet e programit do të bëhen publike në ditët në vijim. Aktiviteti synon forcimin e bashkëpunimit profesional, shkëmbimin e përvojave dhe zgjerimin e rrjetit të profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër.
Motoja e organizatës “Një rrjet, një profesion, një vizion” pasqyron frymën e bashkëpunimit dhe përkushtimit që synon të kultivojë Lidhjen e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM