Aktuale
“Hapu” sjell në Kosovë derën inteligjente kundër zjarrit, inovacion i shpikur nga afaristi shqiptar që do të prodhohet dhe eksportohet si “Made in Kosova”
Bekim Mazreku dhe bashkëpronari i kompanisë “Hapu”, Fejsal Bajrami, planifikojnë të investojnë në Kosovë, të hapin rreth 200 vende të reja pune dhe ta eksportojnë produktin nga Kosova në tregjet botërore.
Një inovacion i zhvilluar në Gjermani, i patentuar në Gjermani, Evropë dhe kontinente të tjera, pritet të prodhohet në Kosovë. Bëhet fjalë për një derë inovative dhe revolucionare kundër zjarrit, të shpikur nga afaristi nga Kosova, Bekim Mazreku, bashkëpronar i kompanisë “Hapu”.
Mazreku, së bashku me bashkëpronarin e tij, Fejsal Bajramin nga Gostivari, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, kanë vendosur që këtë inovacion ta sjellin në Kosovë dhe ta prodhojnë në vendlindje.
Ideja për këtë produkt është zhvilluar në vitin 2019, ndërsa dera është patentuar në Gjermani, Evropë dhe kontinente të tjera. Pas zhvillimit të biznesit në Gjermani dhe krijimit të tregut për produktin, synimi i bashkëpronarëve tash është që prodhimi të bëhet në Kosovë dhe prej këtu të furnizohen tregjet ndërkombëtare.
Kompania “Hapu” tashmë është regjistruar në Kosovë, ndërsa Mazreku dhe Bajrami janë në proces të identifikimit të lokacionit ku do të ndërtohet fabrika.
Investimi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në punësim. Në fazën fillestare, bashkëpronarët planifikojnë të hapin rreth 200 vende të reja pune, ndërsa paralajmërojnë se zhvillimi i kompanisë do të jetë i shpejtë. 
Mazreku bashkë me Bajramin u pritën në takim nga ministrja në detyrë e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
Bekim Mazreku thotë për Ekolajmi se takimi me ministren në detyrë, ishte i fokusuar në gjetjen e formave të bashkëpunimit dhe në nisjen sa më të shpejtë të investimit.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe patëm bisedën se si të fillojmë direkt punën, jo të bisedojmë e të bisedojmë, por të fillojmë direkt me punën. Hapu le të hapet në Kosovë. Parashihet të punësojmë 200 punëtorë në start dhe zhvillimi do të jetë shumë i shpejtë. I kemi projektet e para në Gjermani, ato kemi me i furnizu prej Gjermanisë, se nuk kemi kohë më, por projektet tjera furnizohen krejt prej Kosovës”, theksoi Mazreku.

Ai thotë se investimi në Kosovë për të është më shumë se një projekt biznesor, duke e cilësuar atë si realizim të një ëndrre për të investuar në vendlindje.
“Jemi duke shikuar vendet se ku mund të investojmë. Kemi përkrahje të plotë nga ministrja Kusari-Lila, nga Qeveria, të cilët i falënderoj pa masë. Investimi në vendlindje është ëndërr që po fillon të realizohet”, ka thënë Mazreku.
Ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, pas takimit theksoi rëndësinë e investimeve që vijnë nga diaspora dhe interesimin e kompanisë për t’u vendosur dhe për të investuar në Kosovë.
“Sot ishim bashkë për të trajtuar agjendën e vizitës së tyre. Kësaj radhe, ne në Ministri, e informova për procesin e përgatitjeve dhe punëve që janë në parqet industriale, aty ku kanë interesim edhe që të vendosen për të filluar inovacionin, gjegjësisht prodhimin e derës Hapu, me emër shqip”, tha Kusari-Lila.
Ajo vlerësoi se bëhet fjalë për një produkt që tashmë ka potencial për plasman në tregjet ndërkombëtare.
“Unë jam e lumtur që me këtë, në Republikën tonë, do të fillojë prodhimi i një produkti që ka plasman në gjithë vendet e Bashkimit Evropian dhe gjithashtu në SHBA, për çka edhe i falënderoj”, theksoi ajo.
Për Kusari-Lilën, edhe emri i produktit ka një domethënie simbolike për Kosovën.
“Kjo edhe në aspektin simbolik, dera, produkti me emrin Hapu, është sinonim i përgatitjes së Kosovës së hapur për investimet e huaja”, tha Kusari-Lila.
Bashkëpronari i kompanisë “Hapu”, Fejsal Bajrami, tha se ardhja në Kosovë është hap konkret për finalizimin e asaj që është diskutuar gjatë vizitës së ministres në kompaninë “Hapu” në Gjermani.
“Tash kemi ardhur në Kosovë edhe duam ta finalizojmë atë çka e kishim edhe në Gjermani, edhe këtu kaluam shumë mirë, jemi drejt finalizimit. Falënderoj ministren për mbështetjen e dhënë dhe inovacioni i shpikur në Gjermani, me patjetër do të prodhohet në Kosovë dhe do të eksportohet në gjithë botën me etiketën ‘Made in Kosova’”, tha Bajrami.

Kështu, një ide e lindur në Gjermani, e zhvilluar dhe patentuar ndërkombëtarisht, synon të marrë tash formë konkrete në Kosovë, duke sjellë investime, vende të reja pune dhe një produkt që synon të depërtojë në tregjet botërore me vulën “Made in Kosova”. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM