Aktuale
Diaspora dërgoi 1.4 miliardë euro në Kosovë gjatë vitit 2025
Remitencat vazhdojnë të mbeten një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës. Gjatë vitit 2025, të hyrat nga diaspora arritën në rreth 1.4 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.3 për qind.
Sipas të dhënave të fundit nga Raporti Vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), remitencat kanë vazhduar të luajnë një rol kyç në mbështetjen e konsumit familjar dhe të ekonomisë vendore, duke përbërë një nga burimet më të rëndësishme të të hyrave nga jashtë.
Gjermania dhe Zvicra mbeten vendet kryesore nga vijnë remitencat, duke përbërë së bashku 56.4 për qind të totalit të dërgesave. Pas tyre renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, të cilat gjithashtu japin një kontribut të rëndësishëm në fluksin e mjeteve financiare drejt Kosovës.
Rritja e remitencave është evidentuar si në kanalet formale, ashtu edhe në ato joformale të transferimit të parave. Dërgesat përmes bankave dhe agjencive të licencuara për transferimin e parave u rritën me 3.3 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Ndërkaq, remitencat përmes kanaleve joformale shënuan një rritje edhe më të lartë, prej 7 për qind. Sipas BQK-së, kjo lidhet kryesisht me shtimin e vizitave të diasporës dhe ardhjen më të shpeshtë të bashkatdhetarëve në Kosovë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM