Aktuale
Kolona të gjata në Kroaci, pritjet në kufi arrijnë deri në katër orë
Ambasada e Kosovës në Zagreb ka njoftuar për fluks të shtuar të udhëtarëve në Kroaci, që ka shkaktuar pritje të gjata në pikat kufitare dhe kolona në autostradat kryesore të vendit.
Sipas njoftimit, në pikën kufitare Karasovići, mes Kroacisë dhe Malit të Zi, pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa kolona të gjata janë raportuar edhe në dalje. Në pikën kufitare Vitaljina, pritjet në dalje janë rreth katër orë, ndërsa në kufirin Kroaci–Serbi, në pikën Bajakovo, pritjet shkojnë deri në tre orë.
Ambasada ka bërë të ditur se është në komunikim me autoritetet policore kroate përmes përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim menaxhimin e situatës dhe lehtësimin e qarkullimit.
Për shkak të ngarkesës së madhe në trafik, autoritetet lokale kanë aktivizuar masat e emergjencës, ndërsa policia po drejton një pjesë të automjeteve në rrugë alternative. Banorët në disa zona u kanë ofruar ndihmë udhëtarëve duke shpërndarë ujë dhe duke vënë në dispozicion ambiente sanitare.
Ambasada u ka bërë thirrje udhëtarëve dhe transportuesve që të planifikojnë me kujdes rrugëtimin dhe të llogarisin vonesat e mundshme gjatë kalimit nëpër Kroaci. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM