Aktuale
Policia e Kosovës shton masat e sigurisë për zgjedhjet e 7 qershorit
Policia e Kosovës ka intensifikuar përgatitjet për garantimin e një procesi të sigurt dhe demokratik gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor. Në kuadër të këtyre përgatitjeve, janë zhvilluar takime koordinuese me strukturat policore, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në takimin e parë, të mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, drejtuesit policorë diskutuan planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet që do të ndërmerren për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë procesit zgjedhor në të gjithë vendin.
Ndërkaq, në takimin e dytë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe përfaqësues të misioneve dhe organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet. Gjatë këtij takimi u prezantuan masat e planifikuara të sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e votimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi rëndësinë e profesionalizmit dhe paanshmërisë së zyrtarëve policorë, duke vlerësuar se deri më tani fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze.
Sipas Policisë, fokusi kryesor do të jetë ruajtja e rendit publik, siguria e qendrave të votimit dhe garantimi i ushtrimit të lirë të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët. Institucioni ka ritheksuar përkushtimin për bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të sigurt, transparente dhe demokratike.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi ose veprim të kundërligjshëm që mund të ndikojë në procesin zgjedhor përmes numrit emergjent 192, në stacionet policore ose përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM