Aktuale
Kusari-Lila: Eksportet drejt Austrisë rriten për 17.7%, synohen më shumë investime dhe produkte “Made in Kosova”
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se eksportet e Kosovës drejt Austrisë janë rritur për 12 milionë euro, apo 17.7%, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.
Kusari-Lila ka njoftuar se bashkë me Ambasadën e Austrisë në Kosovë, Odën Ekonomike Austriake, ambasadorin Georg Schnetzer dhe përfaqësues të bizneseve austriake e kosovare, kanë diskutuar për mundësitë e reja të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.
Ajo e ka cilësuar Austrinë si partner të rëndësishëm dhe të besueshëm të Kosovës, duke theksuar se ka mundësi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Sipas ministres, ndër përparësitë e Kosovës për investitorët janë fuqia e re punëtore e talentuar në teknologji, inovacion dhe shërbime, sektori në rritje i prodhimit, si dhe sistemi tatimor konkurrues dhe qasja në tregjet rajonale e evropiane.
Kusari-Lila ka falënderuar bizneset kosovare, duke thënë se puna dhe investimet e tyre dëshmojnë se Kosova ka kapacitet të prodhojë, të eksportojë dhe të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare.
“Si MINTI dhe si Qeveri, do të vazhdojmë të punojmë për të krijuar kushte më të mira për investime, zhvillim të industrisë dhe vende të reja pune”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila ka theksuar se synimi është që me Austrinë të ketë më shumë projekte konkrete, investime dhe produkte “Made in Kosova” në tregun austriak dhe evropian.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM