Lajmet
Emir Abrashi zgjidhet kryetar i AKR-së, partia hyn në fazë të re reformimi
Emir Abrashi, nga shoqëria civile, është zgjedhur kryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR). Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ka përmbyllur procesin e zgjedhjes së organeve të reja drejtuese të partisë.
Abrashi tha se me shumicë votash ka marrë besimin për të udhëhequr AKR-në për katër vitet e ardhshme, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe partisë.
Ai theksoi se AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synim ofrimin e një alternative politike më të besueshme dhe moderne. Po ashtu, shprehu mirënjohje për Presidentin Emeritus të partisë, Behgjet Pacolli, për mbështetjen e dhënë gjatë këtij procesi.
Abrashi nënvizoi se bashkëpunimi mes përvojës dhe energjisë së re do të jetë kyç për rikthimin e AKR-së në institucione si një subjekt politik konstruktiv dhe i orientuar drejt interesit publik.
Ndërkohë, më 12 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kishte pezulluar AKR-në për shkak të mosorganizimit të zgjedhjeve të brendshme brenda afateve të përcaktuara, duke i dhënë afat shtesë prej 45 ditësh për përmbushjen e obligimeve statutore. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM