Aktuale
“Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, detaje nga takimi i ministrit shqiptar Hoxha dhe Haxhiut
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve, koordinimin në politikën e jashtme dhe proceset integruese të Kosovës.
Gjatë takimit, Haxhiu e uroi Hoxhën për detyrën e re, duke vlerësuar përvojën e tij diplomatike dhe kontributin në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare.
“Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, u shpreh Haxhiu, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën.
Sipas Presidencës, në takim u diskutua edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional në fusha me interes të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rrugëtimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës. Haxhiu kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe afrimin e mëtejshëm me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.
Në përfundim, ajo theksoi nevojën për koordinim të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, në funksion të forcimit të pozitës së Kosovës dhe mbrojtjes së interesave të përbashkëta në rajon dhe Evropë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM