Aktuale
“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, Hoxha: Republika e Kosovës, realitet i pakthyeshëm
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka riafirmuar nga Prishtina mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën, duke theksuar se pavarësia e saj është një fakt i konsoliduar në planin politik, juridik dhe ndërkombëtar.
Pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Hoxha deklaroi se siguria dhe stabiliteti i Kosovës janë të lidhura ngushtë me interesat kombëtare të Shqipërisë.
“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, tha ai gjatë konferencës për media.
Kryediplomati shqiptar kritikoi zërat që vazhdojnë të kontestojnë shtetësinë e Kosovës, duke vlerësuar se qëndrime të tilla nuk përputhen me realitetin aktual në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, çdo përpjekje për të mohuar realitetin e Kosovës është e destinuar të dështojë, pasi pavarësia e saj tashmë është e konsoliduar dhe e njohur gjerësisht në botë.
Hoxha nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet e vendosur në mbështetjen e Kosovës përballë çdo kërcënimi ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së saj. Në këtë kontekst, ai përmendi sulmet në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Duke folur për vizitën e tij në Kosovë, Hoxha tha se Prishtina zë një vend të veçantë në angazhimin e tij diplomatik dhe e cilësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm në detyrën e re ministrore.
Ai ritheksoi se Kosova vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme shqiptare dhe bëri thirrje për forcimin e mëtejshëm të koordinimit politik e diplomatik mes dy qeverive.
Në fund, Hoxha shprehu mbështetjen e Shqipërisë për avancimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke veçuar rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe UNESCO, si dhe vazhdimin e rrugëtimit euroatlantik të vendit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM