Biznes
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane zgjedh Kryesinë e re
Në Düsseldorf të Gjermanisë është mbajtur Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, ku është zgjedhur Kryesia e re që do ta udhëheqë organizatën në mandatin e ardhshëm.
Pas procesit zgjedhor, anëtarët e Unionit zgjodhën këtë përbërje të re të Kryesisë: Zenun Krasniqi kryetar, Afrim Osmanaj dhe Faton Shehu nënkryetarë, Irfan Purçuku sekretar i përgjithshëm, ndërsa Shkëndije Pacolli, Burim Kuraja dhe Irfan Tërnava anëtarë të kryesisë.
Gjatë Kuvendit u shpreh mirënjohje për kryetarin e deritanishëm, Nazmi Viqa, si dhe për anëtarët e kryesisë së kaluar, për kontributin dhe angazhimin e tyre gjatë dy mandateve të fundit. Sipas Unionit, gjatë kësaj periudhe organizata ka forcuar strukturat e saj, ka zgjeruar rrjetin e anëtarëve dhe ka rritur rolin në përfaqësimin e bizneseve shqiptaro-gjermane.
Pas zgjedhjes, kryetari i ri Zenun Krasniqi falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar se fokusi i mandatit të tij do të jetë transparenca, bashkëpunimi dhe zhvillimi i mëtejmë i Unionit.
Ai bëri të ditur se prioritetet e kryesisë së re do të jenë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, mbështetja e sipërmarrësve të rinj, krijimi i mundësive të reja për zhvillim dhe avancimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Gjermanisë dhe trojeve shqiptare.
Kryesia e re gjithashtu paralajmëroi intensifikim të aktiviteteve për rrjetëzim të bizneseve, promovim të investimeve dhe krijim të partneriteteve të reja strategjike.
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane konsiderohet një nga organizatat më të rëndësishme të komunitetit të biznesit shqiptar në Gjermani, me fokus në fuqizimin e sipërmarrjes dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM