Aktuale
Kurti vlerëson rolin e klubeve shqiptare në Zvicër, pret delegacionin e FC Dardania Basel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Zyrën e Kryeministrit një delegacion të klubit futbollistik FC Dardania Basel, të themeluar në vitin 1993 nga bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër.
Përmes një postimi, Kurti ka vlerësuar rolin e mërgatës shqiptare në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen, duke theksuar rëndësinë e klubeve sportive në integrimin e të rinjve, zhvillimin e tyre dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Sipas Kurtit, rajoni i Baselit ka qenë për dekada një nga qendrat e rëndësishme të migrimit të punës në Zvicër, ndërsa shqiptarët dhe zviceranët me prejardhje shqiptare përbëjnë sot një komunitet të rëndësishëm në jetën kulturore dhe ekonomike të vendit.
Ai theksoi se kontributi i mërgatës shqiptare vërehet edhe në futboll, ku shumë lojtarë me prejardhje shqiptare kanë zhvilluar karrierën e tyre në klube të ndryshme, ndërsa disa kanë përfaqësuar kombëtaret e Zvicrës dhe Shqipërisë.
Kreu i Qeverisë vuri në pah rëndësinë e klubeve si FC Dardania Basel, ku të rinjtë zhvillojnë aftësitë sportive, mësojnë disiplinën dhe punën në ekip, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me prejardhjen e tyre.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM