Aktuale
Dogana zbulon 50 mijë euro të fshehura e të padeklaruara në Merdare
Dogana e Kosovës ka zbuluar 50 mijë euro të fshehura dhe të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Rasti është evidentuar më 4 tetor 2026, gjatë kontrolleve të detajuara të realizuara nga zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë dhe policorë.
Gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Itali–Kosovë, në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit janë gjetur 50 mijë euro, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Dogana e Kosovës rikujton se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10 mijë eurosh ose më shumë, apo kundërvlerën në valuta të tjera, është i obliguar t’i deklarojë ato me shkrim pranë zyrtarëve doganorë, duke paraqitur shumën dhe burimin e verifikueshëm të mjeteve.
Dogana e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e bartjes së padeklaruar të mjeteve monetare përtej kufirit.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM