Ekonomi
BQK merr vlerësim pozitiv nga Banka Botërore për reformat në sektorin financiar
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vlerësimin pozitiv të publikuar nga Independent Evaluation Group (IEG) i Grupit të Bankës Botërore për mbështetjen e sektorit financiar të Kosovës dhe progresin e arritur gjatë viteve të fundit.
Sipas BQK-së, raporti i IEG-së, strukturë e pavarur e vlerësimit të Grupit të Bankës Botërore, vlerëson arritjet në forcimin e institucioneve financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e reformave që mbështesin integrimin e Kosovës në tregjet financiare evropiane.
Në raport theksohet se BQK-ja ka luajtur rol kyç në forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe modernizimin e sistemit të pagesave.
Sipas këtij vlerësimi, korniza mbikëqyrëse e BQK-së është harmonizuar në masë të madhe me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Raporti vlerëson gjithashtu avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik dhe forcimin e mekanizmave për menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet reformimit të sistemit të pagesave dhe përgatitjeve për integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Raporti konstaton se BQK-ja ka udhëhequr procesin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe harmonizimit të saj me standardet evropiane, duke krijuar bazë për pagesa më efikase, më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset.
Po ashtu, raporti thekson se Strategjia Kombëtare e Pagesave dhe reformat në këtë fushë kanë ndikuar në zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike dhe transformimin digjital të sektorit financiar.
Sipas vlerësimit, këto zhvillime krijojnë kushte më të mira për rritjen e konkurrencës, nxitjen e inovacionit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve
Megjithatë, raporti vëren se disa nga përfitimet më të rëndësishme të reformave pritet të materializohen plotësisht gjatë fazës së zbatimit në vitet në vijim.
BQK-ja e ka vlerësuar bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe e konsideron raportin si konfirmim të progresit të arritur në forcimin e sektorit financiar të Kosovës.
Banka Qendrore ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në vazhdimin e reformave për forcimin e stabilitetit financiar, zhvillimin e tregjeve financiare dhe avancimin e integrimit evropian të sektorit financiar të Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe objektivat strategjike të vendit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM