Ekonomi
Bizneset e Kosovës dhe Italisë synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik
Kosova dhe Italia synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojnë mundësi të reja për bizneset e të dyja vendeve, me fokus në rritjen e investimeve, eksporteve dhe partneriteteve ndërmjet kompanive.
Në organizim të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të komunitetit të biznesit në Kosovë dhe presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Punëdhënësve për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme – Confimprese Italia, Guido D’Amico, i shoqëruar nga presidenti i Confimprese Venice-Itali, Muharrem Salihu.
Në takim morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, si dhe drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike të Britanisë në Kosovë (BCCK), Bekim Kastrati.
Takimi është pjesë e angazhimeve të mëhershme të DHTIK-së me Confimprese Italia, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e mundësive konkrete për bashkëpunim ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Italisë.
Kryetari i Bordit të DHTIK-së, Skender Krasniqi, tha se prioritet i komunitetit të biznesit në Kosovë është zhvillimi i ekonomisë, rritja e investimeve të huaja, shtimi i prodhimit vendor dhe zgjerimi i eksporteve.
Sipas tij, rritja e prodhimit dhe eksporteve është veçanërisht e rëndësishme për shkak të nivelit të lartë të importeve në Kosovë.
Ndërkaq, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset kosovare janë të interesuara dhe të përgatitura për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur eksportet drejt tregut italian.
Rëndësinë e krijimit të partneriteteve të qëndrueshme e ka theksuar edhe drejtori ekzekutiv i BCCK-së, Bekim Kastrati. Ai vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar është një prej shtyllave kryesore për zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet bizneseve të dy vendeve, përfshirë takimet B2B dhe aktivitetet e fokusuara në sektorë të caktuar.
Megjithatë, të dhënat tregtare tregojnë se bilanci aktual mes Kosovës dhe Italisë mbetet dukshëm në favor të importeve.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit 2025 Kosova eksportoi në Itali mallra në vlerë prej rreth 28.9 milionë euro, ndërsa importet nga Italia arritën në 369.4 milionë euro.
Ndërkohë, investimet italiane në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kapën vlerën prej 8.9 milionë euro.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit vlerësuan se intensifikimi i kontakteve dhe organizimi i takimeve direkte ndërmjet kompanive mund të kontribuojë në rritjen e investimeve dhe eksporteve të Kosovës drejt Italisë.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM