Aktuale
FIFA zbulon detajet e ceremonisë së mbylljes së Kupës së Botës 2026
Kupa e Botës 2026 po shkon drejt fundit dhe FIFA ka përgatitur një ceremoni madhështore për të mbyllur turneun më të madh të futbollit në histori.
Ceremonia e mbylljes do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin “New York Stadium” në New Jersey, 90 minuta para finales së madhe.
Dyert e stadiumit do të hapen dy orë para ceremonisë, duke u ofruar tifozëve aktivitete dhe argëtim përpara ndeshjes.
Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë do të jetë interpretimi i himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara nga Jennifer Hudson, fituese e çmimeve Emmy, Grammy dhe Oscar.
Në skenë do të ngjiten gjithashtu figura me famë botërore, si Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe IShowSpeed, të cilët do të performojnë përpara mijëra tifozëve të pranishëm në stadium dhe miliona shikuesve në mbarë botën.
Pjesë e spektaklit pritet të jetë edhe aktori i njohur Tom Cruise, i cili rikthehet në një ceremoni të madhe sportive pas paraqitjes së tij të bujshme në mbylljen e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ku tërhoqi vëmendjen me hyrjen spektakolare në stadium përmes një zip-line.
Organizatorët kanë bërë të ditur se artistë të tjerë dhe të ftuar specialë do të zbulohen në ditët në vijim.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM