Aktuale
“Dardanët” vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen ndaj Andorrës
Kombëtarja e Kosovës po vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore, ku stafi teknik është fokusuar kryesisht në aspektin taktik dhe në ritmin e lojës. Futbollistët janë paraqitur me përkushtim maksimal, ndërsa atmosfera në kampin e kombëtares vazhdon të jetë pozitive.
Futbollisti Ron Raçi tha se ekipi duhet të lërë pas humbjen ndaj Çekisë dhe të përqendrohet te ndeshja e radhës.
Gjatë stërvitjes, portieri Arijanet Murić ka ndier shqetësime në muskujt e kërdhokullës së djathtë, duke lënë përkohësisht seancën nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor. Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe gatishmërinë për ndeshjen e së shtunës.
Ndërkohë, mesfushori Veldin Hodža theksoi se ekipi ka nxjerrë mësime nga humbja ndaj Çekisë dhe se ndaj Andorrës do të synohet paraqitje më e mirë dhe rezultat pozitiv.
Kosova do ta presë Andorrën më 7 qershor në “Fadil Vokrri”, në një ndeshje që shërben si test për përgatitjet e ardhshme të ekipit kombëtar.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM