KESCO po aplikon një rregull sipas të cilit edhe një shumë e vogël e papaguar në faturën e energjisë elektrike mund të çojë në shkyçje nga rrjeti dhe pagesë shtesë për rikyçje.
Sipas raportimit të Buletinit Ekonomik, nëse konsumatori nuk e paguan faturën në tërësi dhe mbetet borxh qoftë edhe 1 euro, sistemi i KESCO-s e regjistron faturën si të papaguar.
Në raste të tilla, konsumatori mund të përballet me shkyçje të energjisë elektrike, ndërsa për rikthim të furnizimit duhet të paguajë taksën e rikyçjes prej 17.70 euro.
Kjo tarifë ka hyrë në fuqi që nga 1 gushti 2024 dhe përfshin edhe TVSH-në.
Sipas zyrtarëve të KESCO-s, analizat e pagesave dhe borxheve realizohen përmes sistemeve të automatizuara, të cilat evidentojnë çdo detyrim të papaguar, pa marrë parasysh shumën.
Kjo do të thotë se edhe nëse konsumatori lë pa paguar vetëm 2 apo 3 euro, në faturën pasuese ai figuron me dy fatura të papaguara, gjë që sipas rregullave të kompanisë mund të përmbushë kriteret për shkyçje nga rrjeti.
Pas shkyçjes, konsumatorët obligohen të paguajnë tarifën prej 17.70 euro për rikyçje të energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik shkruan se shumë konsumatorë nuk janë të informuar mjaftueshëm për këtë mënyrë të funksionimit të sistemit të pagesave.
Nga KESCO nuk kanë dhënë më shumë detaje lidhur me metodologjinë e aplikimit të kësaj tarife, por konsumatorëve u rekomandohet që faturat t’i paguajnë në vlerë të plotë për të shmangur penalizimet dhe shkyçjen nga rrjeti.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM