Kosovë
“Piperi i kuq me pesticide”, reagon kompania: Sasia e raportuar nuk është shpërndarë në Kosovë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) sot ka njoftuar se një produkt “spec i kuq i bluar” me origjinë nga Kosova është ndaluar në kufirin me Finlandë, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar prezencë të pesticidit “Carbofuran” mbi nivelin e lejuar.
E lidhur me këtë ka reaguar vet kompania Ananas Impex, duke mohuar se produktet e saj të vendosura në tregun e Republikës së Kosovës paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Lexoni të plotë deklaratën e kësaj kompanie:
Ananas Impex SH.P.K. garanton konsumatorët se të gjitha produktet e saj prodhohen, përpunohen dhe tregtohen në përputhje me standardet ligjore dhe kërkesat e sigurisë ushqimore në fuqi.
Ananas Impex SH.P.K. hedh poshtë pretendimet se produktet e saj të vendosura në tregun e Republikës së Kosovës paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Kompania ka bashkëpunuar gjithmonë ngushtë dhe në mënyrë transparente me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke respektuar të gjitha kërkesat ligjore dhe procedurat e kontrollit zyrtar për garantimin e sigurisë ushqimore.
Pas njoftimit të AUV-së përmes sistemit RASFF, në bashkëpunim me autoritetet kompetente është realizuar gjurmueshmëria e plotë e lotit të raportuar, me ç’rast është konstatuar se sasia e përmendur nuk gjendet dhe nuk është shpërndarë në tregun e Republikës së Kosovës.
Analizat laboratorike dhe kontrollet shtesë të kryera në produktet dhe lotët përkatës kanë rezultuar në përputhje të plotë me standardet e sigurisë ushqimore, pa prezencë të pesticideve mbi kufijtë e lejuar.
Gjithashtu, kontrollet zyrtare të realizuara nga AUV në objektet e kompanisë dhe në terren nuk kanë evidentuar asnjë parregullsi apo bazë për ndërmarrjen e masave ndaluese ndaj produkteve tona.
Kjo deklaratë bazohet në procesverbalin zyrtar të lëshuar nga AUV pas inspektimeve, verifikimeve dhe kontrolleve të kryera.
Kompania pret që sqarimi përfundimtar zyrtar nga AUV të konfirmojë gjetjet e deritanishme dhe faktet e paraqitura në këtë deklaratë. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM