Aktuale
Goditet grupi kriminal Shqipëri-Itali, SPAK dhe Anti Mafia në aksion të madh
Një operacion i përbashkët mes Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe strukturave antimafia të Barit në Itali ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që vepronte në Shqipëri dhe Itali, ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, kompani tregtare, automjete dhe llogari bankare të dyshuara si produkt i aktiviteteve kriminale.
Detajet e operacionit u bënë publike gjatë një konference të përbashkët për media në Bari, ku morën pjesë kryeprokurori i SPAK-ut, Klodian Braho, dhe prokurori italian Giuseppe Gatti.
Braho tha se operacioni është rezultat i një bashkëpunimi të gjatë dhe të suksesshëm mes autoriteteve shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar.
“Është kënaqësi për mua që jam sot në Bari për të komunikuar rezultatet hetimore të operacionit të përbashkët midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe antimafias së Barit. Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes strukturave tona. Në vijim të hetimeve janë caktuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave janë dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Tiranë”, deklaroi Braho.
Sipas tij, gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar rreth 1 milion euro para cash, ndërsa me kërkesë të Prokurorisë janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të konsiderueshme, shkruan Top Channel.
“Janë sekuestruar shoqëri tregtare, automjete dhe llogari bankare që dyshohet se burojnë nga aktivitetet kriminale. Ky rezultat nuk vjen mbi një terren bosh, por është vazhdimësi e bashkëpunimit të mëparshëm mes policisë së Barit dhe SPAK-ut”, tha ai.
Kreu i SPAK-ut përmendi gjithashtu edhe operacionet e mëparshme të përbashkëta me autoritetet italiane, duke theksuar se deri më tani janë dënuar rreth 170 persona të përfshirë në aktivitete kriminale.
“Rreth 145 prej tyre kanë marrë dënime të konsiderueshme, deri në 12 dhe 15 vite burg. Në emër të SPAK-ut dua të shpreh vlerësimin për autoritetet italiane, veçanërisht për Prokurorinë e Barit, strukturat e specializuara antimafia dhe Eurojust, si dhe për të gjithë hetuesit që kontribuuan në këtë operacion”, u shpreh Braho.
Ndërkohë, prokurori i Barit, Giuseppe Gatti, tha se hetimet kanë zbuluar ngjarje të rënda kriminale, përfshirë edhe një vrasje të ndodhur në rajonin e Pulias, që sipas tij tregon zgjerimin e mafias shqiptare në territorin italian.
“Kemi zbuluar disa ngjarje kriminale, përfshirë një vrasje dhe bashkëpunim mes grupeve mafioze. Një vrasje e regjistruar në rajonin e Pulias tregon në një farë mënyre zgjerimin e mafias shqiptare në territorin tonë”, deklaroi Gatti.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me SPAK-un dhe autoritetet shqiptare, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar do të vazhdojë.
“Kemi bërë një punë shumë të mirë me SPAK-un. E falënderojmë për arrestimin e një personi të kërkuar në Shqipëri dhe Itali. Falë edhe Eurojust-it, ky bashkëpunim zgjat prej 10 vitesh dhe do të vazhdojë. Jemi të bindur që Shqipëria do të arrijë të luftojë mafian e saj dhe ne do t’i qëndrojmë pranë”, tha prokurori italian.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM