Aktuale
Telekomi i Kosovës fiton betejën ligjore ndaj Artmotion, i njihet e drejta si transmetuesi i vetëm zyrtar i Kampionatit Botëror 2026 në Kosovë
Telekomi i Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar në tërësi kërkesën e saj për masë të përkohshme sigurie ndaj Artmotion lidhur me të drejtat ekskluzive të transmetimit të FIFA World Cup 2026 në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas aktvendimit të pranuar më 22 maj 2026, Gjykata ka ndaluar që Artmotion të reklamojë, promovojë, shesë apo shpërndajë pako të shërbimeve fikse që mundësojnë përcjelljen e Kampionatit Botëror 2026 në Kosovë.

Telekomi i Kosovës ka theksuar se mbetet bartësi dhe transmetuesi i vetëm zyrtar i të drejtave për transmetimin dhe shfrytëzimin komercial të FIFA World Cup 2026 në Kosovë.
Në reagimin publik, kompania ka paralajmëruar se çdo operator kabllor, IPTV, OTT, platformë digjitale apo medium tjetër që nuk posedon autorizim zyrtar nga Telekomi i Kosovës, nuk ka të drejtë të reklamojë apo të ofrojë përmbajtje që lidhet me Botërorin 2026.
Tutje, Telekomi u ka bërë thirrje të gjitha mediave, operatorëve dhe platformave digjitale që të shmangin çdo formë promovimi apo komunikimi publik që mund të krijojë përshtypjen e rreme se posedojnë licencë apo autorizim për transmetimin e këtij eventi sportiv.
Kompania ka bërë të ditur se ndaj çdo shkeljeje eventuale do të ndërmerren veprime ligjore për mbrojtjen e të drejtave ekskluzive dhe interesave të saj komerciale.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM