Aktuale
Ulqini bashkon bizneset shqiptare – themelohet dega e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Mal të Zi, Ylli Kallaba zgjidhet kryetar
Në Ulqin u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, ku morën pjesë përfaqësues të shumtë të bizneseve shqiptare nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Mali i Zi.
Kuvendin e parë e hapi kryetari i Rrjetit, Omer Nura, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari për Austri, Yll Blakaj, si dhe sekretari i Rrjetit, Xhelal Memeti.
Nura theksoi se ky kuvend shënon një hap të rëndësishëm në forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të bizneseve shqiptare në nivel global, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik, rrjetëzimin dhe përfaqësimin e komunitetit shqiptar të biznesit.
Në këtë kuvend, kryetar i degës së Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare për Malin e Zi u zgjodh Ylli Kallaba.
Kuvendi zgjodhi gjithashtu kryesinë e re me 11 anëtarë. Nënkryetar i degës u zgjodh Besnik Gjoni, sekretar Enver Kryeziu, ndërsa arkëtar Arlind Llolla.
Në kuvendin e parë ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Qëllimi i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare është fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik mes bizneseve shqiptare në mbarë botën, krijimi i urave të reja të investimeve dhe promovimi i interesave të komunitetit shqiptar të biznesit në tregjet ndërkombëtare. /Ekolajmi/

BASHKOHUNI NË DISKUTIM