Lajmet
Ministri Maqedonci në Gjermani për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në kuadër të angazhimeve zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, u takua me drejtorin e Këshillit për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë (Foreign Council on Economic Relations), Maximilian Hoffmann, si dhe me anëtarë të këtij këshilli dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme ndërkombëtare.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, veçanërisht në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
“Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm të këtij këshilli në ndërlidhjen e institucioneve dhe kompanive ndërkombëtare, u vlerësua nevoja për krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet Kosovës dhe industrisë gjermane të mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, u theksua se Kosova ofron potencial të konsiderueshëm për investime, falë zonave industriale, fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe një mjedis të favorshëm për zhvillim teknologjik dhe prodhues.
Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të krijuar mundësi konkrete për kompanitë gjermane që të kontribuojnë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, duke nxitur njëkohësisht rritjen ekonomike dhe forcimin e sigurisë afatgjatë. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM