Kronikë
U kap duke kontrabanduar mallra në vlerë mbi 5 mijë euro, arrestohet i dyshuari në Hodonovc të Kamenicës
Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Policia Kufitare më datë 22.04.2026, gjatë implementimit të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, pas sigurimit të informatave operative dhe përcjelljes përmes mjeteve teknike të vëzhgimit, ka arritur të identifikojë dhe ndalojë një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në fshatin Hodonovc, komuna e Kamenicës.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se pas pranimit të informatave dhe vërejtjes së aktivitetit të dyshimtë në terren, njësitet patrulluese kanë reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprime operative. Si rezultat, është ndaluar një mjet bujqësor (traktor), i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë, në Republikën e Kosovës.
“Pas përcjelljes së vazhdueshme, traktori është ndaluar në fshatin Hodonovc, ku në cilësi të të dyshuarit është intervistuar vozitësi i mjetit, personi L.H (1968). Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar mallra të dyshuara si të kontrabanduara, konkretisht pjesë për mjete bujqësore-traktorë në vlerën mbi 5 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent.
Rasti është duke u trajtuar dhe hetuar edhe më tej nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM