Aktuale
Haxhiu për pozitën e kryeparlamentarit: Le ta marrin, s’e kam me tapi
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ka ofruar postin e kryeparlamentares me qëllim që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se u ka kërkuar të gjitha grupeve parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet dhe për t’i dhënë hapësirë takimeve dhe një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes.
“Unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit. Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet, përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vete. Për faktin se vitin e kaluar ne kemi humbur shumë, me mos-konstituim fillimisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës e pastaj me mos-votimin e Qeverisë, edhe me mos-votimin e Kryeministrit Kurti edhe të kandidatit tjetër Glauk Konjufca. Prandaj besoj që gjatë këtyre ditëve do të duhej që të ketë sërish takime, sepse unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri të hënën, përkatësisht me 27 prill?”, ka thënë Albulena Haxhiu.
Sipas saj, kjo qasje e opozitës nuk tregon përkushtim dhe vullnet për t’i dhënë vendit një president me mandat pesëvjeçar.
“Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një President me mandat pesë vjeçar. Dhe mua po më duket si ‘deja vu’. Domethënë nëse flasim për situatën aktuale e krahasojmë me atë çfarë ka ndodhur në vitin e kaluar, duket situatë e njëjtë. Por mendoj që duhet të ketë reflektim sepse qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre me 28 dhjetor. Ata përmes votës së tyre kanë treguar se kë e bëjnë përgjegjës për bllokadën e për mungesën e vullnetit e të tjera si këto”, ka thënë ajo.
Ajo theksoi se oferta për postin e kryeparlamentares është bërë për të parandaluar zgjedhjet.
“Unë mendoj që në qoftë se kjo e parandalon që vendi të shkojë në zgjedhje, po bën shumë mirë. Pra ne jemi të koordinuar për secilin veprim. Ne vetë kemi ofruar si me thënë, sepse unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë tri pozitat: ta ketë Kryetarin e Kuvendit, ta ketë Qeverinë, pra Kryeministrinë, dhe në anën tjetër Presidencën. Prandaj kanë thënë që një nga pozitat e larta është pozita e Kryetarit të Kuvendit, le ta marrin”, ka thënë ajo. “Po patjetër. Kryeministri Kurti i ka thënë edhe LDK-së edhe PDK-së. Kjo nuk është pozita ime. Domethënë nuk është pozita ime, nuk e kam me tapi. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe mendoj që këtu duhet të dëshmojmë që e kemi për vendin dhe jo për interesat personale. Një moment mund të jesh ministër, një moment mund të kesh një pozicion tjetër. E rëndësishme është që të veprojmë në përputhje me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM