Aktuale
KDI: Në Projektligjin për Byronë të adresohen çështjet e ngritura nga Kushtetuesja
Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë thirrje për trajtim të kujdesshëm të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky institut ka kërkuar adresimin e çështjeve kyçe të ngritura nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Sipas këtij instituti, forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit, por një reformë e tillë duhet të mbështetet në parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore.
“Në veçanti, KDI ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për një kufizim të arsyeshëm kohor. Së dyti, lidhur me kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pasi projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje këto që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KDI-ja.
Instituti ka njoftuar se u ka dërguar një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës me rekomandimet për përmirësimin e projektligjit, ndërsa ka paralajmëruar edhe publikimin e një hulumtimi parlamentar për këtë çështje.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM