Aktuale
Prishtina përkujton dëshmorët – U.D. Presidentja Haxhiu në homazhe për Zahir Pajazitin dhe heronjtë e kombit
Në Prishtinë po mbahen homazhe dhe nderime për dëshmorët e rënë për lirinë e vendit, me rastin e 18 Prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës.
Aktivitetet nisën në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Velani dhe vazhduan te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë.
Në këto homazhe mori pjesë edhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila vendosi kurora lulesh dhe nderoi figurën e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Ajo tha se Zahir Pajaziti dhe shokët e tij ishin ndër të parët që i dhanë kuptim rezistencës së organizuar dhe shërbyen si shembull guximi në kohë të vështira. Sipas saj, kontributi i tyre nuk ishte vetëm ushtarak, por edhe moral, duke frymëzuar shumë të rinj që t’i bashkohen luftës për liri.
Haxhiu theksoi se dëshmorët janë themeli i shtetit të lirë dhe se institucionet kanë obligim të mos e harrojnë kurrë sakrificën e tyre.
Më pas, ajo bëri homazhe edhe në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, duke vlerësuar lart kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës dhe duke theksuar nevojën që vendi të vazhdojë të ndërtohet mbi parime të drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM