Aktuale
Vetëm 3 ditë afat: Mbi 1,400 zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë të ditur se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026 në mesditë, nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar: 7,482 (72.32%) kanë përfunduar deklarimin, 1,394 (13.48%) janë në proces dhe 1,469 (14.20%) nuk e kanë filluar fare deklarimin.
APK thekson se mbi 1,400 zyrtarë mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar shkeljen e afatit ligjor, ndërsa ditët në vijim konsiderohen vendimtare.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, paralajmëroi për pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të afatit.
“Deklarimi i pasurisë nuk është opsional – është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon – veproni tani”, ka deklaruar Buleshkaj.
Agjencia rikujton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta ligjore dhe mund të rezultojnë në masa administrative dhe procedura penale.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM