Aktuale
Organizatat kërkojnë falje pas reagimeve për ekspozitën mbi masakrat në Kosovë: Nuk kishim synim të lëndojmë askënd
Pas reagimeve të shumta dhe debatit publik mbi ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, organizatat Integra dhe Admovere nëpërmjet një reagimi publik, kanë shpreshur shqetësimin për ndikimin dhe reagimet e shkaktuara.
Tutje, ato kërkojnë falje të sinqertë për familjarët e viktimave civile dhe të gjithë ata që janë prekur nga lufta, duke theksuar se qëllimi i ekspozitës ishte të nderonte viktimat dhe të kontribuonte në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera.
“Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”, thuhet në reagim.
Sipas organizatave, në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kanë pasur synim të lëndojnë apo të ofendojnë askënd.
“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet tutje në reagim.
“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”, përfundon reagimi i tyre.
Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos në sheshin kryesor të Prishtinës, ka nxitur reagime të shumta publike, politike dhe institucionale.
Menjëherë pas hapjes, u ngritën dyshime për pasaktësi në të dhënat e paraqitura, veçanërisht lidhur me viktimat e disa masakrave. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM