Aktuale
Prokuroria Speciale në veprim për ekspozitën në Prishtinë: Nën vlerësim për përgjegjësi penale
Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e vendosur për disa ditë në sheshin “Nënë Terezë” në Prishtinë, është larguar pas reagimeve të shumta publike për përmbajtje të pasaktë.
Kjo ekspozitë nxiti debat të gjerë në opinion, me reagime nga ish-deputetë, parti politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Pas kritikave, reagoi edhe autori Shkëlzen Gashi, duke paraqitur versionin e tij, si dhe Fondi për të Drejtën Humanitare.
Së fundi, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila bëri të ditur se është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth ekspozitës.
Sipas njoftimit, rasti do t’i nënshtrohet një vlerësimi për të përcaktuar nëse përmbajtja e ekspozitës përfshin elemente të përgjegjësisë penale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’… Kjo çështje do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftim. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM