Aktuale
Forumi Ekonomik Kosovë–Slloveni në Lubjanë: Hap i ri drejt zgjerimit të bashkëpunimit dhe investimeve
Më 3 prill në Ljubljana do të mbahet Forumi Ekonomik Kosovë–Slloveni, një ngjarje e rëndësishme që synon forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të dy vendeve.
Forumi organizohet nga Oda Ekonomike Shqiptare, Oda e Bizneseve Sllovene në Kosovë dhe Shoqata “Migjeni”, derisa pjesëmarrëse do të jetë edge Ambasada e Kosovës në Slloveni.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është krijimi i lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre sllovene, duke ofruar një platformë konkrete për ndërtimin e partneriteteve të reja dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Bajram Fusha, kryetar i Odës së Bizneseve Sllovene në Kosovë, tha për Ekolajmin se forumi pritet të ndikojë në rritjen e bashkënimit konkret ndërmjet dy shteteve.
“Forumi do të përfshijë prezantime mbi klimën e biznesit në të dy vendet, si dhe takime të strukturuara B2B ndërmjet përfaqësuesve të kompanive, me qëllim identifikimin e mundësive për bashkëpunim dhe investime.
Delegacioni i bizneseve nga Kosova do të përfaqësojë sektorë kyç të ekonomisë, përfshirë energjinë, ndërtimtarinë, financat dhe transportin, sektorë që konsiderohen me potencial të lartë për zhvillim dhe partneritete ndërkombëtare”, theksoi Fusha.
Gjatë forumit do të prezantohen mundësitë e investimeve dhe të bërit biznes në Kosovë, si dhe do të ofrohet një pasqyrë e përgjithshme e ambientit ekonomik dhe mundësive që ofron tregu slloven për kompanitë kosovare.
Ky forum pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë dhe krijimit të bashkëpunimeve konkrete. Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM