Aktuale
LAJMI I FUNDIT: Policia bastisë zyret e ARBK-së
Një aksion i policisë ka nisur në zyrat e ARBK-së.
Ende nuk dihen informacione të tjera.
Kujtojmë se dje, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka marrë vendim që të refuzojë kërkesën e ish-ministres Rozeta Hajdari dhe të pandehurve të tjerë për hedhjen e aktakuzës në rastin e famshëm të “Rezervave Shtetërore”. Ky vendim i hap rrugë gjykimit për njërën nga aferat më të përfolura të qeverisë.
Në një përgjigje zyrtare për Insajderin, Gjykata Themelore ka konfirmuar se kërkesat e mbrojtjes janë vlerësuar si të pabazuara.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11.11.2025, në çështjen penale kundër të pandehurve R.H., I.L., H.G., për shkak të veprës penale Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, R.M. për shkak të veprës penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.G. për shkak të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par.1 të KPRK-së, si dhe të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së“, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Për çfarë akuzohet ministrja dhe të tjerët?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, akuzohen për veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar (në bashkëkryerje) dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Ndërkaq, i pandehuri Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës.
Me këtë vendim, procesi kalon në fazën e shqyrtimit kryesor. Kjo do të thotë se ministrja Hajdari do të ulet në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me provat e Prokurorisë lidhur me dyshimet për abuzim me rezervat shtetërore (grurin dhe vajin), që i kushtuan buxhetit të shtetit qindra mijëra euro.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM