Kosovë
Konjufca: Kosova ka arritur stadin e një demokracie stabile
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim tetë Përfaqësuesit e Përhershëm të vendeve nordike dhe baltike në OSBE.
Në njoftimin e MPJD-së bëhet e ditur se gjatë takimit u zhvillua një shkëmbim i pikëpamjeve lidhur me projektet dhe angazhimin e OSBE-së në Kosovë, si dhe ndikimin e tyre në forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Zëvendëskryeministri Konjufca shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së dhe për kontributin e rëndësishëm të projekteve të saj, veçanërisht gjatë fazave kritike të tranzicionit, kur kjo mbështetje ishte thelbësore në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova sot ka arritur stadin e një demokracie stabile, dhe kontributi i OSBE-së në ketë arritje ishte shumë i rëndësishëm, dhe do të vlerësohet gjithmonë.
Sipas njoftimit, palët diskutuan gjithashtu mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe OSBE-së, dhe Zëvendëskryeministri Konjufca riafirmoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është prioritet dhe transformimi i rolit të Kosovës brenda OSBE-së në një kapacitet më të plotë, do të hapte mundësi të reja për zhvillimin e vendit. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM