Aktuale
“Terrorizëm ekonomik”, tankeri kinez kalon në Hormuz pavarësisht bllokadës
Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, sipas zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, është një akt terrorizmi. Në një intervistë për median amerikane Fox News, Vance ka theksuar se “dy mund të luajnë në atë lojë”. Ai thotë se nëse iranianët “angazhohen në terrorizëm ekonomik”, SHBA-ja do t’i përmbahet parimit se “asnjë anije iraniane nuk do të dalë”.
Ndërkohë Agjencia detare e OKB-së, Organizata Ndërkombëtare Detare, bëri me dije në një reagim të sajë se asnjë vend nuk ka të drejtë ligjore për të bllokuar transportin detar në ngushticat e përdorura për tranzit ndërkombëtar. Sekretari i përgjithshëm Arsenio Dominguez i thotë programit Today të BBC Radio 4 se është një precedent i rrezikshëm për t’u vendosur.
“Unë e kuptoj që atje po zhvillohet një konflikt, por ende nuk ka bazë ligjore në të drejtën ndërkombëtare për të ndërmarrë ndonjë veprim për të bllokuar çdo ngushticë të përdorur për lundrim ndërkombëtar”, thotë Dominguez. “Sa më shumë masa hakmarrëse të merren, aq më shumë rritet shqetësimi për 20,000 detarët ende të bllokuar në Gjirin Persik dhe sigurisht për të gjithë të tjerët në mbarë botën që vazhdojnë të preken ekonomikisht.
Presidenti iranian Masud Peseshkyan ka fajësuar përsëri SHBA-në për dështimin e bisedimeve të paqes midis dy palëve ndërluftuese në Islamabad. “Kërkesat e tepërta” dhe “mungesa e vullnetit politik nga ana e zyrtarëve të lartë amerikanë” penguan një marrëveshje, tha Peseshkyan në një telefonatë me Presidentin francez Emmanuel Macron.
Ndërkohë edhe pse Turmp njoftoi bllokimin e Ngushticës së Hormuzit bëhet e ditur se një cisternë kineze e sanksionuar nga SHBA-të ka kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit. Të dhënat nga MarineTraffic dhe Kpler tregojnë se është anija e parë që lundron me sukses në kalimin nga Gjiri Persik që nga fillimi i bllokadës amerikane të hënën. Cisterna mesatare thuhet se mban afërsisht 250,000 fuçi metanoli, të cilat i ngarkoi në portin e Hamriyah në Emiratet e Bashkuara Arabe. Anija dhe pronari i saj, Shanghai Xuanrun Shipping, u vendosën në një listë të sanksioneve të SHBA-së për shkak të marrëveshjeve biznesi me Iranin.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM