Aktuale
Pas IVF-it, Gjinekologjia së shpejti dhe me një shërbim të ri
Jo vetëm IVF, Klinika e Gjinekologjisë së shpejti vjen dhe me një shërbim të ri. Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, bëri të ditur për Indeksonline se klinika që ai drejton po vazhdon të zgjerojë gamën e shërbimeve për pacientet, duke sjellë risi të rëndësishme në fushën e shëndetit riprodhues.
Ai theksoi se, përveç shërbimit të fekondimit të asistuar (IVF), së fundmi janë futur edhe shërbimet e mjekësisë fetale, të cilat tashmë po funksionojnë me sukses dhe po priten mirë nga pacientet. Ndërkohë, shumë shpejt pritet të fillojë edhe ofrimi i amniocentezës, një shërbim i ri për klinikën, i cili deri më tani nuk është realizuar në këtë institucion publik.
Sipas Ndrejajt, aparatura për këtë procedurë tashmë është e gatshme, ndërsa aktualisht pritet furnizimi me preparatet dhe mediumet e nevojshme për të nisur zbatimin e saj në praktikë. Ai shtoi se pacientet janë të kënaqura me shërbimet aktuale, por mbetet ende punë për të përmirësuar dhe më tej cilësinë dhe kapacitetet.
Ndrejaj më tej theksoi se futja e amniocentezës përbën një hap të rëndësishëm përpara, duke qenë një shërbim krejtësisht i ri për klinikën e gjinekologjisë në sektorin publik.
Ndrejaj ka folur dhe për ndërtimin e klinikës s re të gjinekologjisë, projekt ky që pritet të nisë së shpejti dhe të përfundojë brenda tre viteve të ardhshme. Kjo sipas tij do të mundësojë kushte më të mira dhe shërbime më cilësore për të gjitha pacientet.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM