Aktuale
Konsulencat për ZRrE përfunduan te kompania e ish-drejtorit të tarifave
Apr 10, 2026
13:52
Kompania kryesore e konsulencave në ZRrE, Optima Energy Consulting dyshohet për konflikt të mundshëm të interesit me drejtuesit e këtij institucioni. Pronar i kësaj kompanie është Ardian Berisha, punonjës shumëvjeçar në ZRrE në pozita të larta. ZRrE nuk ka pranuar t’i bëjë publike procedurat e ndjekura për angazhimin e kësaj kompanie.
Agon Sinanaj
Për të gjitha raportet dhe rregulloret më të rëndësishme që i prodhon për sektorin e energjisë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) këshillohet nga një kompani e vetme – Optima Energy Consulting, e cila rezulton se e ka pronar një ish-punonjës të këtij institucioni.
Ardian Berisha, pronari i Optima-s, për shumë vite me radhë me kompaninë e tij ofron konsulenca për ish-vendin e tij të punës.
Buletini Ekonomik ka gjetur se Berisha, në të kaluarën, ka punuar në ZRrE në dy pozita me rëndësi. Nga viti 2008 deri në vitin 2011, si analist i çmimeve dhe kostove, dhe nga 2011-ta deri më 2013, si drejtor i Departamentit të Tarifave.
Por, historiku i bashkëpunimit të Berishës me Optima Consulting Energy daton qysh herët, madje edhe para se ai ta merrte drejtimin e kësaj kompanie në vitin 2020.
Me ta lënë ZRrE-në në vitin 2013, Berisha në Optima fillimisht u angazhua si konsulent. Aty punoi për një vit (2014-2015), për tu rikthyer pesë vjet më vonë, por këtë herë në udhëheqje të kompanisë.
Nga viti 2020 deri në vitin 2025, hulumtimi zbulon se Optima është kompania kryesore e konsulencave që ofrohen për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Megjithatë, shumëçka rreth angazhimit të kësaj kompanie mbetet e paqartë: nga dyshimet për konflikt të mundshëm interesi, te mungesa e transparencës për procedurat e angazhimit, e deri te refuzimi i Optima-s për të bërë publikë donatorët që e kanë mbështetur.
ZRrE nuk iu drejtua APK-së për “konflikt të mundshëm të interesit”
Angazhimi i Optima-s në ZRrE me konsulenca është mbështetur nga donatorë të ndryshëm. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja kryesore që ZRrE ka dhënë kur është pyetur për mundësinë e konfliktit të interesit në këtë rast.
Buletini Ekonomik e ka pyetur konkretisht ZRrE-në nëse, para angazhimit të Optima-s, kishte kërkuar mendim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Në përgjigjen e tyre, ZRrE thotë se nuk e ka parë të nevojshme t’i drejtohet APK-së, pasi, sipas tyre, “në këtë rast nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë konfikt interesi”.
“Duke qenë se angazhimet janë vendosur ekskluzivisht nga organizata ndërkombëtare, pa asnjë lidhje procedurale apo kontraktuale me ZRrE, nuk ka ekzistuar asnjë rrethanë që do të kërkonte marrjen e një mendimi paraprak nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Situata në vetvete nuk krijon konflikt interesi dhe as potencial për të tillë”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
Mirëpo, Ligji për Parandalimin e Konfiktit të Interesit përcakton qartë situatat me konfikt të mundshëm të interesit, për të cilat institucionet e kanë obligim t’i drejtohen APK-së.
Neni 17 i këtij ligji përcakton qartë se: “Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”.
Kurse, interesi privat, sipas nenit 3 të të njëjtit ligj, nënkupton “çfarëdo përparësie për personin zyrtar, familjen e tij, të afërmit, miqtë dhe personat apo organizata me të cilat ai ka pasur apo ka marrëdhënie afariste”.
Sipas APK-së, konflikti i interesit është i lidhur ngushtë me procesin e vendimmarrjes (përfshirë çastet paraprake të vendimmarrjes), nën kushtet e ekzistencës së interesit privat të zyrtarit ose të personave të afërt të tij në një çështje të caktuar.
Në rastin e pronarit të OPTIMA-s, përveç faktit se ai ka qenë punonjës shumëvjeçar në ZRrE dhe koleg pune me disa prej drejtuesve aktual të këtij institucioni, Buletini Ekonomik, nga burime të sigurta, mëson se Berisha është edhe në raporte miqësore me kryetarin e Bordit aktual të ZRrE-së, Ymer Fejzullahun. Ky i fundit, në të kaluarën, ka punuar në ZRrE pikërisht në departamentin e tarifave, aty ku Berisha kishte qenë drejtor për dy vite.
Berisha ka asistuar në disa raste edhe në konferencat që ZRrE ka zhvilluar për media. Ai është parë sidomos në konferencat ku janë shpalosur rezultatet mbi vendimin për tarifat e energjisë elektrike.
Ndërsa, sa i përket procedurave që janë ndjekur për angazhimin e kësaj kompanie, ZRrE ka dhënë radhazi dy përgjigje përgjithësuese.
Fillimisht ka thënë se nuk mund t’i shpalos procedurat e ndjekura pasi “Optima Energy Consulting” nuk ka pasur asnjëherë kontratë të drejtpërdrejtë me ZRrE dhe nuk është angazhuar kurrë nga vetë ZRrE-ja”.
“Autoriteti i vetëm kontraktues në të gjitha rastet kanë qenë organizatat ndërkombëtare që kanë financuar dhe menaxhuar projektet e asistencës teknike. ZRrE nuk ka pasur rol në përzgjedhjen e konsulentëve të këtyre projekteve”.
Në një adresim të dytë, Buletini Ekonomik ka pyetur në ZRrE se si u bë që pikërisht kjo kompani u angazhua nga donatorët për të ofruar konsulenca, si dhe për procedurat që ishin ndjekur për angazhimin e saj.
Edhe përgjigja e dytë e ZRrE-së, sikurse e para, është e karakterit përgjithësues.
“Që nga themelimi i saj, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka pasur mbështetje të vazhdueshme teknike nga donatorë ndërkombëtarë si USAID, BE, NARUC, EBRD, IFC dhe të tjerë. Si institucion rregullator në një sektor me çështje të ndërlikuara teknike dhe rregullative, ZRrE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka identifikuar nevojën për asistencë profesionale dhe ekspertizë të specializuar”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
Sipas ZRrE-së, Optima ka qenë e përfshirë në “zhvillimin e metodologjive rregullatore, harmonizimin me praktikat e BE-së dhe avancimin e proceseve të orientuara drejt transparencës dhe efikasitetit”.
Optima s’i tregon donatorët
Ngjashëm sikurse ZRrE, përgjigje përgjithësuese kanë dhënë edhe nga kompania Optima, kur janë pyetur për procedurat e ndjekura për angazhimin e saj me konsulenca në ZRrE.
Megjithatë, ndryshe nga ZRrE, Optima nuk ka pranuar të bëjë publike as donatorët që e kanë mbështetur për angazhimet e saja në ZRrE, e as nuk ka sqaruar nëse ka pasur garë mes kompanive.
“Shumicën e shërbimeve ku ZRrE ka qenë përfitues, Optima EC i ka ofruar në kuadër të projekteve të financuara nga organizata nderkombëtare, përfshirë studime dhe analiza specifike për Departamentin e Tarifave, Departamentin Ligjor dhe për Licencim, Departamentin e Tregut dhe Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit”, ka thënë Ardian Berisha, i cili, sipas ARBK-së, posedon 90 për qind të aksioneve në Optima.
Sipas Berishës, Optima gëzon reputacion ndërkombëtar për këshillëdhënie rregullatore kompetente e të paanshme në Kosovë, në rajon dhe në botë, duke punuar me rregullatorë, qeveri dhe institucione ndërkombëtare në mbi 20 shtete.
Por, kur është pyetur konkretisht për donatorët që e mbështetën për konsulencat me ZRrE, Berisha në dy raste i është shmangur pyetjes, duke dhënë përgjigje përgjithësuese.
“Donatorët që kanë qenë aktiv në Kosovë mundeni me i ditë ju vetë besoj edhe me i kontaktu. Une kam punu me shumicën prej tyre. Informatat e mia janë publike, faqen në LinkedIn e kam të hapun”, ka thënë shkurt ai.
Në faqen e Berishës në LinkedIn ka qenë e pamundur të identifikohen donatorët që ndërlidhen me konsulencat në ZRrE.
Nga të dhënat publike, një nga donatorët kryesor të Optima-s, del të ketë qenë USAID, përkatësisht kompania amerikane “Tetra Tech’, e cila ka menaxhuar me fondet e USAID. Kjo bëhet e ditur në një komunikatë për medie të ZRrE-së, të lëshuar pas një takimi me drejtuesit e Optima-s, në muajin janar të vitit të kaluar.



BASHKOHUNI NË DISKUTIM