Aktuale
Haxhiu: Krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në nderim të viktimave të masakrës në Rezallë, në 27-vjetorin e saj. Haxhiu tha se angazhimi institucional do të vazhdojë për zbardhjen e plotë të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.
Me këtë rast, Haxhiu rikujtoi se më 5 prill 1999, në Rezallë të Skenderaj dhe në fshatrat përreth ishte zbatuar një plan i organizuar i shfarosjes nga regjimi i Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë.
“5 prill të vitit 1999 djemë e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkiten, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë, trupat e tyre i rrëmbyen dhe me trupat e tyre hapën varre masive në Serbi. Qëllimi ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal, por gjurmët e krimit nuk do fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë, ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre por edhe në kujtesën tonë kolektive.”, u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të kërkuar drejtësi për viktimat e kësaj masakre dhe për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës.
Sipas saj, angazhimi institucional do të vazhdojë për zbardhjen e plotë të krimeve, përfshirë, masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet dhe dëbimet e kryera nga Serbia në Kosovë, me qëllim që drejtësia të vihet në vend dhe kujtesa historike të ruhet për brezat e ardhshëm.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM