Aktuale
Çmimet e naftës në Kosovë nuk po reflektojnë rënien në bursat ndërkombëtare
Një analizë krahasuese e lëvizjeve të çmimeve të naftës në tregun global dhe në Kosovë tregon një mospërputhje të dukshme, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe funksionimin e tregut vendor. Njohësi i kësaj fushe, Jakup Gashi, vlerëson se çmimet aktuale në Kosovë nuk janë në përputhje me trendet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave, në fillim të luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022, çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare pësoi rritje të menjëhershme, duke arritur kulmin prej 139.13 dollarë për fuçi më 7 mars 2022. Në atë periudhë, çmimet në Kosovë lëviznin nga 1.75 deri në 1.85 euro për litër.
Megjithatë, aktualisht çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare sillet rreth 107 deri në 114 dollarë për fuçi – dukshëm më i ulët krahasuar me kulmin e vitit 2022. Në bazë të këtij krahasimi, sipas Gashit, çmimet në tregun vendor do të duhej të ishin më të ulëta.
Analiza e të dhënave historike për periudhën mars–qershor 2022 tregon se çmimet për litër në tregjet ndërkombëtare, të konvertuara në euro, silleshin afërsisht nga 0.60 deri në 0.72 euro, varësisht nga kursi i këmbimit. Kjo përforcon argumentin se çmimet në Kosovë janë ndikuar fuqishëm nga rritjet globale në atë kohë.
Ndërkohë, trendi i çmimeve ndër vite tregon një rënie pas vitit 2022: nga rreth 139 dollarë në vitin 2022, në rreth 95 dollarë në 2023, 85 dollarë në 2024 dhe 75 dollarë në 2025, për të shënuar sërish rritje në rreth 111 dollarë në vitin 2026.
Pavarësisht kësaj luhatjeje dhe faktit që çmimet aktuale janë më të ulëta se kulmi historik, çmimet në Kosovë vazhdojnë të mbeten të larta, rreth 1.80 deri në 1.85 euro për litër. Kjo nënkupton, sipas Gashit, një diferencë mbi nivelin proporcional që do të duhej të reflektonte tregu.
“Kjo tregon se çmimet në tregun vendor nuk po reflektojnë plotësisht lëvizjet në bursat ndërkombëtare,” thekson ai.
Në këtë kontekst, Gashi nënvizon se transparenca në strukturën e çmimit dhe monitorimi i marzheve janë thelbësore për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun e derivateve në Kosovë./Ekolajmi
BASHKOHUNI NË DISKUTIM