Aktuale
The Guardian: “Gjithçka është e mundur” – Kosova një ndeshje larg historisë në Kupën e Botës
Gazeta e njohur britanike The Guardian i ka kushtuar një reportazh Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt Kupës së Botës.
“Kosova është vetëm një ndeshje larg realizimit të një ëndrre historike – kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës”, shkruan The Guardian.
Një shtet i ri në futboll, me më pak se një dekadë pjesëmarrje ndërkombëtare, po shkruan një histori të jashtëzakonshme suksesi. “Dardanët” janë një fitore larg një vendi në Grupin D, së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Paraguajin.
E vetmja pengesë mbetet një ndeshje vendimtare “playoff” ndaj Turqisë, që do të zhvillohet në Prishtinë. Kjo sfidë shihet si kulmi i një fushate kualifikuese që ka bashkuar qytetarët dhe ka rritur krenarinë kombëtare.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka deklaruar se interesi për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm, duke thënë se stadiumi “Fadil Vokrri” do të mbushej me mbi 100 mijë tifozë nëse do të kishte kapacitetin e nevojshëm, ndërkohë që aktualisht mund të presë rreth 14 mijë.
Në një vend me histori të vështirë dhe plagë të luftës që ende ndihen, futbolli ka marrë një kuptim të veçantë për qytetarët.
“Si Kombëtare, ne jemi bërë simbol që gjithçka është e mundur. Kemi treguar rrugën për popullin e Kosovës, drejt njohjes dhe krenarisë,” ka thënë Elbasan Rashani, ish-reprezentues i Kosovës”. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM