Aktuale
515 rekrutë i bashkohen FSK-së, Ministri i Mbrojtjes: Kemi dyfishuar numrin e ushtarëve të rinj
515 të rinj kanë dhënë betimin solemn në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke u zotuar se do t’i shërbejnë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes ka vlerësuar se ky është një moment krenarie për rekrutët, familjet e tyre dhe gjithë vendin, duke theksuar se betimi shënon fillimin e një rrugëtimi të ri të bazuar në disiplinë, përkushtim dhe përgjegjësi.
Ministri ka bërë të ditur se gjatë mandatit qeverisës është më shumë se dyfishuar numri i ushtarëve të rinj të rekrutuar. Sipas tij, me grupin e radhës që do të nisë trajnimin, do të arrihet objektivi i planifikuar i personelit për vitin 2028, dy vjet para afatit të paraparë.
Ai ka theksuar gjithashtu se gjatë kësaj periudhe është trefishuar buxheti i mbrojtjes, duke e ngritur atë mbi 2 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Po ashtu, sipas tij, është katërfishuar numri i ushtarakëve të trajnuar jashtë vendit dhe është hequr kufizimi i mëparshëm numerik për ushtarakët e FSK-së.
Ministri ka nënvizuar se investimet në personel, armatim, pajisje dhe përgatitje profesionale do të vazhdojnë të mbeten prioritet, duke i cilësuar ato si investime në sigurinë e vendit dhe të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në fund, ai ka uruar rekrutët e rinj për betimin, duke u dëshiruar suksese në shërbim të Republikës së Kosovës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM