Aktuale
Ministrja Kusari-Lila: Kosova dhe Sllovenia synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e eksporteve
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar takimin e tretë me bizneset sllovene që operojnë në Kosovë, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e eksporteve dhe krijimin e mundësive të reja për investime.
Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, si dhe drejtori ekzekutiv i Këshillit Evropian të Investitorëve në Kosovë, Emrush Ujkani.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e forcimit të lidhjeve ndërmjet bizneseve kosovare dhe sllovene, si dhe zgjerimi i mundësive që produktet vendore të depërtojnë në tregun e Sllovenisë.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se përmes nismës “Made in Kosova” synohet promovimi i produkteve vendore dhe rritja e pranisë së tyre në tregjet e reja ndërkombëtare, duke vënë në pah cilësinë dhe potencialin e prodhimit kosovar.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte zhvillimi i eko-parqeve industriale, të cilat synojnë të krijojnë kushte më të favorshme për rritjen e prodhimit, zhvillimin e inovacionit dhe tërheqjen e investimeve.
Sipas ministres, forcimi i kapaciteteve prodhuese dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve vendore janë faktorë të rëndësishëm për zgjerimin e eksporteve dhe rritjen e pranisë së produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Takimi synon të kontribuojë në forcimin e partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe në identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe investime në sektorin privat.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM