Aktuale
Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare zgjerojnë bashkëpunimin për zhvillimin e ankandeve të energjisë nga era
Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) kanë nënshkruar një shtesë të marrëveshjes së bashkëpunimit, me qëllim vazhdimin dhe zgjerimin e mbështetjes për përgatitjen dhe zbatimin e ankandeve për energjinë nga era në Kosovë.
Përmes kësaj marrëveshjeje, IFC do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike dhe këshillimore për Ministrinë e Ekonomisë në zhvillimin e ankandeve të ardhshme për energjinë e erës, me synimin për të zgjeruar kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe për të përshpejtuar tranzicionin energjetik të vendit.
Ankandi i parë për zhvillimin e kapaciteteve të energjisë nga era, me kapacitet prej 50 deri në 100 megavat (MW), aktualisht ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave.
Ndërkaq, marrëveshja e re zgjeron mbështetjen e IFC-së edhe për ankandet e ardhshme, përmes të cilave synohet shtimi i 200 MW kapaciteteve të reja të energjisë nga era, me qëllim arritjen e një kapaciteti total deri në 300 MW.
Ky bashkëpunim synon të mbështesë zhvillimin e një tregu konkurrues dhe transparent, si dhe të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.
Njëkohësisht, zhvillimi i këtyre kapaciteteve pritet të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, forcimin e sigurisë energjetike dhe rritjen e prodhimit të energjisë së pastër në Kosovë.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM