Aktuale
Ministrja Kusari-Lila: Mbretëria e Bashkuar partner strategjik, potencial i madh për rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në UK Business Forum në Kosovë, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves.
Në forum u diskutua për mundësitë e reja për investime, partneritete dhe krijimin e vendeve të punës mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kusari-Lila theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner strategjik industrial dhe tregtar për Kosovën, duke vlerësuar potencialin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Sipas saj, Kosova ofron mundësi për investitorët përmes fuqisë së re punëtore, ndërmarrësisë, afërsisë me tregun evropian dhe klimës konkurruese fiskale.
Aktualisht, 388 kompani me pronarë britanikë operojnë në Kosovë, ndërsa investimet britanike janë rritur nga 17.9 milionë euro në vitin 2024 në 24 milionë euro në vitin 2025.
Ministrja theksoi se synimi është që bashkëpunimi të sjellë më shumë investime, tregje të reja dhe mundësi për bizneset e të dyja vendeve.


BASHKOHUNI NË DISKUTIM