Aktuale
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane uron Presidenten e re: Institucionet të fokusohen në zhvillimin ekonomik
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka mirëpritur zgjedhjen e Akademikes Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke i uruar asaj sukses në mandatin e ri.
Në urimin e tyre, përfaqësuesit e Unionit kanë shprehur pritshmërinë që zgjedhja e Presidentes së re të kontribuojë në forcimin e institucioneve, stabilitetin e vendit dhe zhvillimin ekonomik e social të Kosovës.
“Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane i uron Presidentes së re sukses në mandatin e saj, me pritshmërinë që zgjedhja e saj të kontribuojë në forcimin e institucioneve, stabilitetin e vendit dhe zhvillimin ekonomik e social”, thuhet në njoftim.
Unioni ka theksuar se tashmë institucionet duhet të përqendrohen në adresimin e problemeve të akumuluara, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, përmirësimit të klimës së të bërit biznes dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Sipas Unionit, stabiliteti institucional duhet të shoqërohet me vendimmarrje të shpejtë dhe konkrete, në mënyrë që Kosova të krijojë një klimë më të favorshme për investime, punësim dhe zhvillim ekonomik.
“Besojmë se stabiliteti institucional duhet të shoqërohet me vendimmarrje të shpejtë dhe konkrete, në mënyrë që të krijohet një klimë më e favorshme për investime, punësim dhe zhvillim ekonomik”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka konfirmuar se do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare, gjermane dhe evropiane.
Unioni i ka uruar Presidentes së re sukses në detyrën e saj, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar kontributin e sektorit privat në zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik të Kosovës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM