Aktuale
Komuna e Prishtinës kërkon që nesër ora e parë e mësimit t’i kushtohet luftës së UÇK-së
Komuna e Prishtinës u është drejtuar me një kërkesë të gjitha shkollave të kryeqytetit, që nesër ora e parë mësimore t’i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, historisë së luftës për çlirim dhe kontributit të çlirimtarëve për liri e shtetndërtim.
Në këtë kërkesë të Drejtorisë së Arsimit, thuhet se me nxënësit të trajtohet rrugëtimi i vështirë për lirinë dhe shtetndërtimin, si dhe sakrificat e mëdha që ka kaluar populli i Kosovës.
“Në kuadër të kësaj ore, ju ftojmë që me nxënësit të trajtoni në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, rëndësinë rëndësinë e luftës së UÇK-së, sakrificën e qytetarëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës, si dhe proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshi edhe vendimin që pritet të merret”, thuhet në kërkesë.
Sipas kërkesës, qëllimi i kësaj ore është që nxënësit të njihen me historinë e afërt të vendit tonë dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e lirisë, paqes dhe kujtesës kolektive.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM