Aktuale
Kapiteni i FSK-së vlerësohet si i dalluari në kursin e Forcave Speciale në ShBA
Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., është vlerësuar me titullin “Distinguished Honor Graduate” pas përfundimit me sukses të Kursit Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.
Siç thotë FSK, pas më shumë se tetë muajsh trajnim intensiv, nga janari deri në shtator të këtij viti, kapiteni ka përfunduar programin për kualifikimin e “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin për oficer të Forcave Speciale 18A.
Në përfundim të kursit, ai është vlerësuar me titullin “Distinguished Honor Graduate”, që i jepet pjesëmarrësit me performancën më të dalluar, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, lidershipi dhe përkushtimi gjatë trajnimit.
Kursi është zhvilluar në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” të Ushtrisë Amerikane në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdojnë të investojnë në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimit në institucionet prestigjioze ushtarake të vendeve partnere”, thuhet në njoftimin në Facebook.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM