Ekonomi
Kosova vendos masa antidamping për importin e farës së grurit nga Serbia
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, bën të ditur se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e detyrimit të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.
Sipas saj, vendimi është marrë pas një hetimi të zhvilluar nga Ministria dhe dëshmive paraprake për import me çmime damping, që sipas saj kanë shkaktuar dëme për prodhuesit vendorë.
“Si Ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, sot kam nënshkruar vendimin për vendosjen e detyrimit të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia. Ky vendim është marrë pas hetimit të zhvilluar nga Ministria dhe dëshmive paraprake për import me çmime damping dhe dëmtim të prodhuesve vendor”, shkruan Kusari Lila në Facebook.
Ajo tha se prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme.
“Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë. Do të përdorim çdo instrument ligjor në dispozicion për të mbrojtur prodhimin vendor, konkurrencën dhe interesin ekonomik të Kosovës”, shkruan ajo.



BASHKOHUNI NË DISKUTIM