Aktuale
Shqipëria pas vizitës së Zelenskyt në Serbi: “Kosova nuk mund të krahasohet me Ukrainën”
Shqipëria e ka cilësuar të rëndësishme vizitën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Serbi, duke theksuar se dialogu është gjithmonë i mirëpritur. Megjithatë, Tirana ka paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të krijuar paralele mes çështjes së Kosovës dhe luftës në Ukrainë.
Në një qëndrim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë thuhet se dialogu duhet të krijojë hapësirë për trajtimin e çështjeve të vështira me qartësi, përgjegjësi dhe duke pasur parasysh historinë.
Shqipëria thekson se, sikurse qëndron fuqishëm në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe të ardhmes evropiane të Ukrainës, po aq fuqishëm mbështet edhe sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike.
“Nuk duhet të ketë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të krijuar një paralele ose për të vendosur një ekuacion mes Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”, thuhet në qëndrimin e Tiranës.
Sipas Ministrisë së Jashtme shqiptare, çështja e Kosovës qëndron mbi bazat e veta historike, politike dhe juridike. Shqipëria rikujton edhe opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në të kundërt, Tirana e cilëson agresionin rus ndaj Ukrainës si shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të jenë pjesë e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Shqipëria vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfundimisht do të çonte drejt njohjes reciproke, nuk do ta dobësonte Serbinë.
Përkundrazi, sipas Tiranës, një proces i tillë do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së fundit të rajonit dhe do të hapte rrugën për pajtim të vërtetë, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe paqe të qëndrueshme.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë sot për këtë energji pozitive, ndoshta më shumë se kurrë”, thuhet në deklaratë.
Sa i përket vizitës së Zelenskyt në Serbi, Shqipëria vlerëson se ajo, para së gjithash, i shërben avancimit të interesave të Ukrainës, duke e konsideruar këtë një hap të kuptueshëm dhe legjitim.
Megjithatë, Tirana thekson se çdo hap që e ndihmon Serbinë të largohet më tej nga ndikimi rus dhe të afrohet me Evropën është pozitiv. /ekolajmi.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM