Aktuale
Haxhiu: Zbulimi i varrezave masive dëshmi se drejtësia ende nuk është përmbushur
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dyshimeve për zbulimin e një varreze të re masive, duke theksuar se ky zhvillim rikujton krimet e kryera gjatë luftës dhe nevojën për drejtësi.
Sipas saj, zbulimi i varrezave masive tregon se procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe ndëshkimi i përgjegjësve për krimet e luftës ende nuk ka përfunduar.
“Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo theksoi se shtrirja e rendit kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës ka krijuar mundësi për intensifikimin e kërkimeve për personat e zhdukur dhe zbulimin e varrezave masive.
Haxhiu shprehu mirënjohje për institucionet, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjitha ekipet e angazhuara në këtë proces, duke vlerësuar punën e tyre si kontribut të rëndësishëm për të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave.
Ajo gjithashtu shprehu solidaritet me familjet e të zhdukurve, duke ritheksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e plotë të fatit të çdo personi të zhdukur dhe përballjen e autorëve të krimeve me drejtësinë. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM