Aktuale
Aviokompanitë përfitojnë 3 deri në 6 € për secilin mërgimtar që e sjellin në Kosovë
Nga e hëna pritet të nisë zbatimi i masës së Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e aviokompanive që sjellin mërgimtarët në vend.
Sipas një dokumenti të cilit i referohet KOHA, kompanitë ajrore do të përfitojnë mbështetje financiare nga 3 deri në 6 euro për çdo pasagjer, varësisht nga përmbushja e kritereve të përcaktuara.
Programi vlen për linjat që operojnë nga dhe drejt disa shteteve evropiane, ndërsa kushtëzohet me realizimin e të paktën 85 për qind të fluturimeve të planifikuara.
Programi, i titulluar “Mbështetja e Konektivitetit për sezonin veror 2026”, pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor dhe përfshin destinacione si Zvicra, Gjermania, Austria, Turqia, Belgjika, Franca, Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka.
Për të qenë pjesë e këtij programi, kompanitë ajrore duhet të dorëzojnë oraret operative të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe më pas t’i nënshtrohen verifikimit të performancës në përfundim të sezonit veror, më 24 tetor.
Sipas dokumentit, janë paraparë tri kritere kryesore të subvencionimit. E para parasheh pagesë prej 3 eurosh për çdo pasagjer në rast të realizimit të të paktën 85 për qind të fluturimeve të planifikuara. Kriteri i dytë parashikon 6 euro për pasagjer shtesë, në rast të operimit mbi planin bazë, me kusht që 80 për qind e vendeve në avion të jenë të zëna. Ndërsa kriteri i tretë përfshin mbështetje për hapjen e linjave të reja, të cilat duhet të operojnë me të paktën 80 për qind të kapacitetit.
Në dokument theksohet se kjo iniciativë synon ruajtjen dhe zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës me tregjet evropiane, si dhe forcimin e konektivitetit ndërkombëtar gjatë sezonit veror.
Qeveria ka miratuar këtë vendim pak para fushatës zgjedhore, ndërsa ai është kritikuar nga opozita si i lidhur me ndikim elektoral, pretendim të cilin kryeministri Albin Kurti e ka hedhur poshtë, duke e cilësuar masën si të nevojshme për stabilitetin e linjave ajrore gjatë sezonit veror dhe përballimin e kostove operative të kompanive.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM