Aktuale
Kërcënimi i organizatës terroriste “Brigada e Veriut” ndaj kryeministrit Kurti, deklarohen nga Policia: Postimi është bërë nga qyteti i Kralevës në Serbi
Sot kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar nga organizata terroriste “Brigada e Veriut”.
E pas këtij kërcënimi ndaj Kurtit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’, e njohur edhe si ‘Brigada e Veriut’ (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste).
Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike”, thuhet në njoftim.
Policia tutje bën të ditur se nga hetimet e kryera është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025.
“Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.
Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, thuhet në njoftim. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM